“I dua femrat, më dhimbsen. Dua t’i shoh të gjitha mirë”, motra publikon bisedën me Liridonën

“I dua femrat dhe më dhimbsen, dua t’i shoh të gjitha mirë. Më vjen gjynah kur është e shtypur një vajzë, një grua, një nënë, një femër”.

Këto fjalë rrëqethëse janë shkuar nga Liridona Ademaj, 30-vjeçarja që u vra në Prishtinë javën e shkuar me porosi të bashkëshortit të saj.

Fjalët i përkasin një bisede që Liridona kishte bërë me motrën e saj, me gjasë duke mos e çuar kurrë nëpër mend se do largohej nga kjo botë prej njeriut me të cilin kishte dy fëmijë, e që në rrjete sociale e konsideronte “gjithçka për të”.

Siç raportojnë mediat në Kosovë, biseda në fjalë u publikua nga vetë motra e së ndjerës e cila, ashtu si e gjithë familja, kërkon drejtësi.

Liridona Ademaj, nënë e dy djemve të vegjël u vra mbrëmjen 29 Nëntorit në rrethinat e Prishtinës.

3 persona u vunë në pranga për ngjarjen e rëndë. Bashkëshorti i saj Naim Murseli, i cili akuzohet se e porositi vrasjen e gruas, ekzekutori Granit Plava dhe nipi i Murselit, Kreshnik Kokalla, i akuzuar si bashkëpunëtor në këtë krim. Për 3 të arrestuarit gjykata caktoi një ditë më parë 30 ditë paraburgim.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme trupi i Liridona Ademajt u zhvarros dhe u transportua në fshatin e saj të lindjes, aty ku do të prehet përgjithmonë, me kërkesë të familjes së saj.