Humbi jetën pasi u rrëzua nga lartësia, arrestohet pronari i banesës ku po punonte viktima

Tiranë, 9 Shkurt 2025 – Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në Tiranë, ku një shtetas 66-vjeçar ka humbur jetën pasi ra nga soleta e një ndërtesë katër katëshe. Policia ka njoftuar se viktima, identifikuar si B. K., ishte duke punuar në soletën e banesës kur ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga lartësia.

Pas hetimeve të kryera, është arrestuar pronari i banesës ku po punonte viktima. Shtetasi A. G., 58 vjeç, është vënë në pranga për akuzën e shkaktimit të vdekjes nga pakujdesia.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., 58 vjeç, pasi në banesën e tij ka humbur jetën shtetasi B. K., 66 vjeç, i cili, duke punuar, ka rënë nga lartësia,” thuhet në njoftimin e policisë.

Hetimet vazhdojnë për sqarimin e rrethanave të plota të ngjarjes, ndërkohë që masat e sigurisë dhe përgjegjësitë për sigurinë e punëtorëve janë në fokus të autoriteteve.