Gjatë ndjekjes nga Policia përplas makinën e efektivëve dhe hedh pistoletën pa leje, arrestohet 27-vjeçari në Mamurras

Një 27-vjeçar i identifikuar si Edmir Xhaferri është arrestuar në Mamurras pas një ndjekjeje nga Policia, pasi dyshohet se qarkullonte i armatosur dhe nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.

Sipas Policisë, i riu përplasi automjetin e shërbimeve policore gjatë tentativës për t’u larguar, duke rrezikuar jetën e efektivëve. Në kuadër të operacionit “Target”, atij iu sekuestruan një pistoletë, municion luftarak, automjeti dhe një palë targa.

“Kurbin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Target”. Qarkullonte me automjet i armatosur me armë zjarri, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej, duke përplasur automjetin e shërbimeve të Policisë dhe rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Neutralizohet dhe vihet në pranga 27-vjeçari.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, municion luftarak, automjeti dhe një palë targa. Sektori për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale në DVP Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar në informacionet e siguruara për një shtetas që qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Target”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:

-E. Xh., 27 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.

Ky shtetas u lokalizua në qytetin e Mamurrasit, duke qarkulluar me automjet. Sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke përplasur automjetin e shërbimeve të Policisë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, si dhe ka hedhur armën e zjarrit që mbante me vete.

Pas disa minutash ndjekjeje, në lagjen “Zef Hoti”, Mamurras, u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 27-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.