Këngëtarja e njohur Eli Fara ka reaguar këtë të shtunë pas publikimit të videove intime me kompozitorin Adrian Hila në rrjetet sociale, të cilat kanë qarkulluar ditët e fundit.
Në një reagim në rrjetin social Instagram, këngëtarja shprehet se është e lënduar, duke theksuar se nuk ka arsye të turpërohet. Ndërkohë, shprehet gjithashtu se turpi u përket atyre që kanë filmuar ato video.
Sakaq, ajo ka theksuar se këtë rast do t’ia lërë në dorë drejtësisë.
Reagimi i plotë i Eli Farës:
Kam kaluar një jetë në skenë, duke ndarë me publikun këngën dhe dashurine për artin. Sot po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me giykime e fyerje që prekin edhe familjen time.
Në këtë shoqëri, grave u kërkohet shpesh të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre. U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim. Sot po e përjetoj vet sa e rëndë është të shohësh jetën tënde private te kthyer në spektakël dhe te ndiesh se, për disa njerëz, çdo gjë që ke ndërtuar vlen më pak se një moment intim.
Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem. Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një njeriu. Intimiteti i një gruaje nuk është leje për ta poshtëruar.
Të qenit artiste nuk ma heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet. Këtë të drejtë e ka çdo grua, pavarësisht emrit, profesionit apo zgjedhjeve të saj. Këtë çështje do t’ia lë në dorë drejtësisë. Nga
publiku kërkoj njerëzillëk dhe ndalimin e shpërndarjes. Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që lëndoni.
Falënderoj nga zemra familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që me kanë mbështetur, publikisht apo privatisht. Dashuria dhe mirëkuptimi juaj me japin force.
Do të marr kohën që më duhet dhe do të vazhdoj përpara, me dinjitet dhe me kokën lart.
E juaja,
Eli Fara




