Kjo fundjavë pritet të sjellë reshje dëborë, ndërsa temperaturat kanë shënuar rënie të ndjeshme! Pjesa më e madhe e vendit do të jetë nën ndikimin e motit të keq, që është bërë shkak për anulimin e lundrimeve.
Kjo fundjavë e dytë e nëntorit pritet të sjellë kushtet atmosferike të dimrit që është në prag.
Temperaturat kanë shënuar rënie në të gjithë vendin dhe në fundjavë në disa zona pritet të zbresin nën zero. Në zonat malore priten reshje dëbore.Pjesa tjetër e vendit do të jetë në ndikimin e motit me erë dhe shi që mund të shkaktojë problematika të përmbytjeve.
Përkeqësimi i kushteve atmosferike ka detyruar pezullimin e lundrimeve drejt barit nga porti i Durrësit dhe anasjelltas.
Kapiteneria e Portit njofton se në orët në vijim pritet përkeqësim i motit: ndërsa lartësia e dallgëve do të shkojë deri në 3.5 metra.
Ndërkohë trageti i linjës Durrës-Ancona dhe anasjelltas do të vijojë lundrimin normalisht sipas parashikimit. E njëjta situatë paraqitet edhe në Vlorë.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete nuk do të vazhdojnë të operojnë deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike.
Edhe anijet e peshkimit janë ndaluar të dalin në det. Kushtet atmosferike pritet të përmirësohen pas të dielës.
Java që vjen pritet të karakterizohet nga reshje shiu, ndërsa temperaturat do të shënojnë një rritje të lehte.
