EMRI/ U godit me shkopa bejsbolli sapo doli nga banesa e tij në Yzberisht, polici i burgut 313 dërgohet me urgjencë te Trauma, autorët në kërkim

TIRANË- Policia ka reaguar lidhur me ngjarjen e raportuar pak minuta më herët, ku një 36-vjeçar, punonjës i burgut 313, është dhunuar në orët e mëngjesit të sotëm në Yzberisht.

Efektivi i dhunuar është Arbër Labi, i cili sapo ka dalë nga banesa është goditur me shkopa bejsbolli nga tre persona ende të paidentifikuar. Këta të fundit pasi e kanë dhunuar policin i kanë marrë armën e shërbimit dhe më pas janë larguar.

Labi ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 28.09.2024, rreth orës 05:00, në rrugën “Tre Dëshmorët”, Yzberisht, shtetasi A. L., 36 vjeç, banues në Yzberisht, (punonjës pranë burgut 313) sapo ka dalë nga banesa është goditur dyshohet me sende të forta nga tre persona ende të paidentifikuar, të cilët i kanë marrë armën e shërbimit dhe më pas janë larguar.

Aktualisht 36-vjeçari ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.