25 nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas.
Që prej vitit 2006 kur hyri në fuqi ligji i parandalimit të dhunës në familje në të gjitha format e saj, 33 mijë e 628 gra janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Shifrat janë alarmante, ndërsa të gjithë jemi dëshmitarë se ka edhe raste kur gratë dhe vajzat nuk e raportojnë dhunën nga turpi dhe frika, madje një përqindje e konsiderueshme thonë se dhuna është çështje private që duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë.
Në nivel global, vlerësohet se rreth 736 milionë gra, pothuajse një në tre, i janë nënshtruar dhunës fizike dhe/ose seksuale nga partneri, dhunës seksuale nga jopartneri, ose të dyja, të paktën një herë në jetën e tyre.
Kjo plagë është intensifikuar në mjedise të ndryshme, duke përfshirë vendin e punës dhe hapësirat në internet, dhe është përkeqësuar nga efektet post-pandemike, konfliktet dhe ndryshimet klimatike. Zgjidhja qëndron në reagimin e menjëhershëm. Megjithatë, në mënyrë alarmante, të dhënat se sa shumë kombet po angazhohen për të luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave mbeten jashtëzakonisht të pakta.
Kemi nevojë për më shumë investime në organizatat e grave, legjislacion më të mirë, ndjekje penale të autorëve, më shumë shërbime për të mbijetuarat dhe trajnim për zyrtarët e zbatimit të ligjit. Dhuna ndaj grave vazhdon të jetë pengesë për arritjen e barazisë, zhvillimit, paqes si dhe për përmbushjen e të drejtave njerëzore të grave dhe vajzave.
