Keqinformimi fetar dhe ekstremizmi: Sfidat dhe mënyrat për parandalimin e tij në kontekstin shqiptar

Nga Bardha Nergjoni

Keqinformimi është një sfidë në rritje në ditët e sotme, kur teknologjia dhe rrjetet sociale janë bërë pjesë e pashmangshme e jetës tone. Ngjashëm me fushat e tjera, keqinformimi është në rritje edhe në fushën fetare. Në vend që të shërbejë për dialog dhe kuptim ndërmjet komuniteteve fetare, informacioni i pasaktë dhe ndonjëherë i qëllimshëm i përhapur, ka tendencën të ndikojë në polarizimin dhe nxitjen e ekstremizmit fetar. Individët apo grupet ekstremiste shfrytëzojnë këtë mjedis të ngarkuar me tensione për të mundësuar rekrutime të reja dhe për të gjetur mbështetje për planet e tyre të dhunshme. Përdorimi i fesë për të mbuluar qëllimet ekstremiste është një taktikë e njohur e grupeve ekstreme. Përmbajtja terroriste në internet vazhdon të ngelet shqetësuese në Shqipëri, por kulmi i kësaj përmbajtje arriti pas viteve 2010, kur rreth 140 shqiptarë, iu bashkuan luftës në Siri, pasi ishin rekrutuar nga të ashtuquajtur ‘imamë’ që ma pas u dënuan nga gjykatat shqiptare.
Mesazhet e individëve që nxisin ekstremizmin fetar përqendrohen në krijimin e perceptimit të një krize fetare në të cilën myslimanët kërcënohen nga laiciteti dhe mungesa e përfaqësimit të duhur e të institucionalizuar në shoqërinë shqiptare, si dhe përhapja e idesë që Perëndimi është armiqësor ndaj islamit. Zgjidhja që propozon propaganda e dhunshme ekstremiste përmes narrativës të saj është ndryshimi i rendit ekzistues politik në Shqipëri dhe vendosjen e një modeli islamik qeverisjeje, që udhëhiqet nga sheriati. Dr. Arben Ramkaj, teolog dhe studiues i islamit thotë se disa nga argumentet e grupeve ekstremiste në Shqipëri janë deligjitimimi i shtetit modern. Ai shpjegon se sipas ligjërimit të ekstremistëve “shteti modern është armik i fesë islame. Ai është tagut (jobesimtar) dhe duhet luftuar me çdo mjet. Çdo mysliman ka detyrë të emigrojë dhe të mbrojë shtetin islam. Të gjitha shtetet e botës janë shtete taguti (jobesimtare). Shteti modern duhet rrëzuar me revolucion të dhunshëm apo me luftë të shenjtë. Myslimanët nuk marrin pjesë në organet qeverisëse dhe ndalin votimet duke i konceptuar herezi fetare. Bashkëpunimi ndërfetar është mohimi e fesë së Zotit, Punësimi në gjykata apo e drejta advokimi dhe gjykimi me ligjet laike janë herezi fetare dhe dalje nga feja”. Dr. Ramkaj shton se këto bindje nuk mbështeten në asnjë libër fetar dhe nga asnjë teolog që ka studiuar vërtet fenë islame. “Feja zyrtare islame ka parime të tjera dhe nëpërmjet teologëve i ka transmetuar dhe po i transmeton tek të rinjtë” përfundon Ramkaj.
Zonat periferike dhe rurale janë ndër zonat më të cënueshme nga radikalizimi. Kështu, nga zona e Librazhdit, fshatrat e Pogradecit dhe Cërrikut u larguan rreth 30 persona drejt Sirisë. Një pjesë e mirë morën edhe familjet me vete që më vonë përfunduan në kampet famëkeqe në të cilat disa prej tyre janë ende të bllokuar. Situata e familjeve që kanë humbur apo kanë ende familjarë në kampet e Sirisë është dëshpëruese ku prindër e të afërm shpresojnë në kthimin e fëmijëve pranë tyre dhe e cilësojnë largimin drejt Sirisë një gënjeshtër të madhe, e cila mori jetë njerëzish dhe shkatërroi shumë familje. Fenomeni i largimit drejt Sirisë ka shkatërruar familjet dhe komunitetet që kanë mbetur pas, ende pa mundur të shpjegojnë se çfarë ndodhi dhe pse.
Pavarësisht se ka kaluar më shumë se një dekadë, pasojat e largimit drejt Sirisë ende ndjehen në zonat më të prekura. Megjithatë, tanimë komunitetet janë më të përgatitura dhe strukturat shtetërore kanë nxjerrë mësime duke vënë theksin tashmë tek parandalimi. Shumë aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë janë tashmë të angazhuar në luftën dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri nëpërmjet zbatimit të ndryshimeve ligjore, mekanizmave të referimit, nismave të ngritjes së kapaciteteve, fushatave për rritjen e ndërgjegjësimit, dhe projekteve vendore që synojnë më shumë qëndresë të komunitetit. Që prej vitit 2017, këto përpjekje bashkërendohen nga Qendra Kombëtare për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, kryesuar nga Koordinatori KEDH.
Një rol të veçantë në parandalim e kanë komunitetet fetare. Myftiu i Librazhdit, Z. Ardit Hoxhllaku thekson rëndësinë e të ndjekurit burime të besueshme, udhëheqës fetarë të kualifikuar, e jo persona të paautorizuar që bëjnë thirrje për kauza që reflektojnë interesat e tyre. Ai shton se studimi është çelësi dhe edukimi i të rinjve me fenë nga udhëheqës që kanë studiuar në shkolla legjitime dhe të aprovuara nga institucionet shqiptare. “Nëse të rinjtë e mësojnë islamin nga librat e kontrolluar nga institucionet përkatëse atëherë ata mund të marrin një informacion të saktë rreth fesë dhe kështu nuk bien pre e grupeve keqdashëse të cilat nuk kanë për qëllim fenë por rininë në mënyrë që t’i përdorin për interesat e tyre ekstremiste. Bashkë me librat duhet që mësimet t’i shoqërojnë me mësimet e hoxhallarëve të shkolluar në shkolla të njohura legjitime dhe të aprovuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Kështu mund të parandalohet çdo lloj ekstremizmi i mundshëm që mund të ndodhë” përfundon Hoxhllaku.
Pavarësisht të punës që bëhet për të luftuar keqinformimin fetar dhe përhapjen e ekstremizmit, sërish ky fenomen vazhdon të jetë i pranishëm. Për këtë arsye, puna mes aktorëve duhet të vazhdojë për të parandaluar këtë fenomen që nxjerr krye here pas here në forma të ndryshme, ndërsa gjen terren për t’u ushqyer dhe lulëzuar. Redaktoi: Romario Shehu

Ky artikull është realizuar në kuadër të programit “Riintegrimi i qëndrueshëm në komunitet i shtetasve shqiptarë të kthyer nga Siria”, i cili po zbatohet në Shqipëri nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në bashkëpunim me Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve dhe Qendrën e Gruas për Zhvillim dhe Kulturë, nën koordinimin kombëtar të Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me mbështetjen e Fondit Global të Angazhimit dhe Qëndrueshmërisë së Komunitetit (GCERF).