Një aksident tragjik ka ndodhur pak ditë më parë në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, ku ka humbur jetën shtetasi kinez Li Jianhong. Sipas informacioneve paraprake, ai ishte një biznesmen i njohur dhe figurë me ndikim në fushën e investimeve dhe sportit në Kinë.
Li Jianhong njihej si themelues i resortit të madh të skive “Silkroad Mountain” dhe president i grupit “Xinjiang Grand Scape”. Ai kishte ndërtuar një karrierë të suksesshme në biznes që pas vitit 1993, duke e kthyer kompaninë e tij në një korporatë me vlera qindra milionë dollarëshe, aktive në turizëm, telekomunikacion dhe investime.
Përveç aktivitetit në biznes, ai ishte gjithashtu alpinist i njohur ndërkombëtarisht, duke përfunduar sfidën “Explorer’s Grand Slam”, që përfshin ngjitjen e shtatë majave më të larta në çdo kontinent dhe arritjen në të dy polet e Tokës. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar shkaqet e aksidentit.













