Autoboti me gaz u përplas me strukturën e sipërme në “Urën e Lizës”, frikë për banorët e zonës. Çfarë ndodhi në mesnatë në Elbasan

Një incident i rrezikshëm është shënuar në “Urën e Lizës në Mengël të Elbasanit, pak para mesnatës së kaluar, ku një autobot është përplasur me strukturën e sipërme të urës. Pas përplasjes është raportuar për rrjedhje gazi, duke shkaktuar shqetësim për sigurinë e banorëve dhe personave që kanë shtëpitë në afërsi të vendngjarjes.

Për shkak të situatës së krijuar, banorët dhe personat që ndodheshin pranë zonës janë evakuuar përkohësisht, ndërsa autoritetet kanë ndërhyrë për sigurimin e perimetrit dhe shmangien e çdo rreziku të mëtejshëm duke dhënë garanci se nuk kishte asnjë rrezik. Si pasojë e incidentit, qarkullimi në këtë aks rrugor u bllokua përkohësisht qarkullimi duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve.

Pas ndërhyrjes së strukturave përgjegjëse dhe pasi zona është konsideruar e sigurt, qarkullimi është rikthyer normalisht. Deri në këto momente nuk ka të dhëna të plota zyrtare mbi rrethanat e aksidentit, shkakun e përplasjes së autobotit me urën apo natyrën dhe përmasat e rrjedhjes së gazit.

Autoritetet pritet të japin më shumë informacion në vijim, ndërsa vijojnë verifikimet për zbardhjen e plotë të incidentit.