“Pse u ndave nga vajza ime”/ I riu ra nga pallati në Tiranë pas sherrit me babain e ish-bashkëjetueses, pranga autorit. Emri

Një 36-vjeçar humbi jetën një ditë më parë në zonën e Alliasit në Tiranë, pasi u hodh nga kati i pestë i një pallati. Viktima është identifikuar si Gerald Sefa, ndërsa hetimet për rrethanat që i paraprinë ngjarjes kanë çuar në arrestimin e një personi.

Në pranga është vënë Sajmir Demiri, babai i ish-bashkëjetueses së 36-vjeçarit. Ai dyshohet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes.

Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, rreth dy ditë përpara ngjarjes Demiri dyshohet se ishte konfliktuar verbalisht me Sefën, duke i kërkuar shpjegime lidhur me përfundimin e marrëdhënies së tij me vajzën.

Hetuesit po verifikojnë nëse konfliktet dhe presioni i pretenduar ndaj 36-vjeçarit kanë ndikuar në vendimin e tij për t’i dhënë fund jetës.

Rasti fillimisht ngriti dyshime edhe për një skenar tjetër. Brenda banesës u gjet një thikë me njolla gjaku, çka bëri që policia të shqyrtonte edhe mundësinë e një ngjarjeje kriminale.

Megjithatë, sipas burimeve, nga ekspertiza e kryer më pas janë konstatuar në thikë gjurmë gishtash që i përkisnin vetë Sefës. Dyshohet se përpara se të hidhej nga ndërtesa, 36-vjeçari kishte tentuar të dëmtonte veten.

Një tjetër element i administruar nga grupi hetimor janë pamjet e kamerave të sigurisë. Nga verifikimi i tyre rezulton se Sefa kishte hyrë i vetëm në pallatin ku më pas ndodhi ngjarja.

Apartamenti ku qëndronte 36-vjeçari ishte në pronësi të një të afërmi të tij, i cili ia kishte lënë për banim.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe rolin e personit të arrestuar.