Nga Bardha Nergjoni
Qarku i Elbasanit është një qark interesant për zgjedhjet vendore. Ai ka 7 bashki të fituara dhe të marra pa kandidatë nga e majta në 2019-tën dhe me një historik të drejtimit të majtë. Po a mund të bënin ndryshimin kandidaturat e opozites? Sigurisht që po.
Mjafton ti hedhësh një sy kandidatëve të PD që do të duhet të garojnë edhe në siglën e Partisë së Lirisë për të kuptuar se përzgjedhja e tyre është bërë si mbështetës të Berishës dhe jo si një alternativë e re, sfiduese dhe mjaft konkrete për të marrë bashkitë.
Kështu duke përjashtuar vetëm pak kandidatura, pjesa më e madhe janë figura të ricikluara të demokratëve dhe që kanë treguar konsum. Kështu në bashkinë e Librazhdit kandidon Shefki Çota. Një ish drejtues i bashkisë Librazhd që do të mbahet mend si një burrë i mirë por që e humbi mundësinë e tij përballë Kastriot Gurrës në 2015 kur ky I fundit vazhdoi dy mandate nën siglën socialiste. Çota gëzon respekt por jo energjitë dhe alternativën për të thyer një zonë tradicionalisht të majtë siç është Librazhdi. Duket se fakti që e ka fituar një herë bashkinë ka nxitur Berishën të mbështesë këtë kandidaturë, por a mjafton kjo? Mbetet për tu parë.
Ndërkohë një tjetër riciklim nga primaret është Servet Duzha për Cërrikun. Duzha është e njëjta histori, një ish kryebashkiak që kërkon një mandat tjetër që do të luftojë për votën individuale edhe përçarjen me mbështetësit e Bashës.
Gramshi po ashtu mbetet një sfidë më vete. Kandidati Çekrezi duket se gëzon mbështetje në komunitet. Mjafton të shikosh një test sondazhesh për të kuptuar se është figurë që vjen nga komuniteti, drejtues i një prej komunave më të mëdha në Gramsh si ajo Pishaj për shumë vite deri në ndryshimet në reformën zgjedhore. Por a mjafton kjo përballë një të riu si Besjan Ajazi që ka hequr dorë nga mandati i tij për të kandiduar dhe që ka pasur një mbështetje të konsiderueshme me vota në zgjedhjet e fundit të përgjithshme? Nese do te jete surprize Gramshi? Te shohim.
Ndërkohë Luçiano Boçi ka treguar se di të mbledhë vota në Elbasan, di të bëjë fushatë dhe të sfidojë por gjithashtu do të duhet të bëjë llogaritë me përçarjen e PD që pavarësisht dukjes, mbetet një hendek që nuk është kaluar. E djathta e Bashës ka dhënë vetëm një sinjal pozitiv por asgjë në terren për të treguar se realisht do ta mbështesë kandidatin e Berishës në këto zgjedhje. Kandidatët e opozitës do të duhet të luftojnë për votat e mbështetësve, për përçarjen mes tyre, për skepticizmin e votuesve për shkak të kualicionit me ish LSI dhe me nje armate te madhe qeveritare me mjete dhe fuqi ekonomike.
Nëse inatet dhe dasitë e krijuara nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Elbasan do të shuhen, kjo i mbetet levizjeve te asaj pjese te PD qe mbeshtet ende Lulzim Basha dhe fushatës në vazhdim.
