Aksident në aksin Prrenjas–Librazhd, dy adoleshentë në gjendje të rëndë! Nisen me urgjencë drejt Traumës

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të enjteje në aksin e rrugës kombëtare Prrenjas–Librazhd, ku një motoçikletë është përplasur me një automjet.

Aksidenti ka ndodhur në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, një segment i konsideruar problematik për qarkullimin.

Në motoçikletë udhëtonin dy persona, drejtuesi dhe një pasagjer, të cilët pas përplasjes së fortë kanë mbetur të plagosur rëndë, duke pësuar fraktura të shumta në trup.

Mësohet se të plagosurit janë dy djem adoleshentë, njëri banues në fshatin Hotolisht dhe tjetri nga zona e Polisit në Librazhd.

Menjëherë pas aksidentit, ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, mjekët kanë vendosur dërgimin e tyre të menjëhershëm në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.