BE dhe NATO drejt krijimit të “Shengenit ushtarak”

ATHINË – Bashkimi Europian dhe NATO kanë rënë dakord për krijimin e një “Shengeni ushtarak”, një mekanizëm që synon të lehtësojë lëvizjen e shpejtë të trupave dhe mjeteve ushtarake në territorin europian.

Lajmi u bë i ditur nga Komisioneri Europian për Transportin dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas, gjatë një deklarate në Athinë.

Sipas tij, projekti parashikon ngritjen e infrastrukturës së posaçme në rreth 500 pika strategjike në Europë, me qëllim përmirësimin e mobilitetit ushtarak dhe reagimit të shpejtë në rast krizash apo emergjencash të sigurisë.

Tzitzikostas theksoi se rregullorja për funksionimin e këtij mekanizmi pritet të përfundojë në vitin 2027, ndërsa infrastruktura e nevojshme synohet të jetë plotësisht operative deri në vitin 2030.

Nisma konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes Bashkimit Europian dhe NATO-s, në një kohë kur çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes janë kthyer në prioritet për vendet europiane.