Në fshatin Togëz të Librazhdit, vetëm 3 kilometra larg qytetit, ndodhet shkolla 9-vjeçare “Veiz Çota” – një institucion që dikur ka qenë ndër më të mirët në zonë, por që sot përballon vështirësi ekstreme për të garantuar një mjedis normal mësimor. Godina është thuajse e amortizuar dhe shenjat e degradimit janë të dukshme kudo: mure të lagështa, dritare të thyera, soleta e amortizuar dhe tualete jashtë çdo standardi higjienik.

Nxënësit dhe prindërit shprehin shqetësim të madh për kushtet e mësimit, që jo vetëm janë të papërshtatshme, por përbëjnë edhe një rrezik për shëndetin e fëmijëve me lageshtiren e dimrit. “Fëmijët ankohen nga të ftohtit, nga uji që pershkon mure, dhe nga mungesa e higjienës. S’ka as çati të mirë, janë me soletë. Gjynah gjithë ky fshat me një shkollë të tillë,” – tregon Habibe Dosku, një nga banoret e fshatit.

Përveç kushteve të rënda të infrastrukturës, edhe procesi mësimor në këtë shkollë lë për të dëshiruar. Në mungesë të nxenesve qe jane larguar drejt shkollave me te mira apo ne emgiracion, mësimi zhvillohet në klasa kolektive, ku bashkohen nxënës të niveleve dhe moshave të ndryshme. Një banore tjetër qe nuk do te identifikohet thekson se mesimi ne klasa kolektive eshte jo normal: “Si mund të mësojë një nxënës i klasës së dytë me një të klasës së katërt apo të gjashtë? Është absurde.”
Banorët e Togëzit janë të zhgënjyer dhe ndihen të lënë pas dore. Ata thonë se kanë më shumë se dy vjet që i kërkojnë Bashkisë së Librazhdit ndërhyrje, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete. “Ajo shkollë ka nxjerrë njerëz me vlerë. Ka qenë krenaria e zonës, por tani është braktisur. Ne kemi bërë kërkesa, por askush s’na ka dëgjuar,” – pohon Zabit Alla, një tjetër banor i zonës.
Në një qëndrim disi kontradiktor, kryeplaku i një fshati fqinj pohon se në këtë shkollë ka pasur investime gjatë dekadës së fundit. “S’është ndonjë shkollë e keqe… dhjetë vjet ka që është investuar,” – shprehet ai, megjithëse gjendja aktuale e objektit flet ndryshe.
Situata kontraston ndjeshëm me atë të shkollave në qytetin e Librazhdit, ku pjesa më e madhe e institucioneve arsimore janë rikonstruktuar dhe jane mirembajtur.
Megjithatë, edhe aty sfidat nuk mungojnë – veçanërisht në fushën e teknologjisë. Mungesa e hapësirave
dhe pajisjeve teknologjike bën që nxënësit e gjimnazit të zhvillojnë orët e informatikës në ambientet e shkollës 9-vjeçare pranë, e cila disponon vetëm një laborator të vogël kompjuterësh, fillimisht menduar për klasat fillore, por që aktualisht përdoret nga të gjithë nxënësit.
Ndërkohë që në Librazhd është investuar për një qendër multifunksionale për të rinjtë e përuruar pak para fushatës dhe trumbetohet për investime të rëndësishme në shkolla, “Veiz Cota” është shembulli se si një shkollë kaq pranë qytetit dhe buzë rruge të mbulohet nga mungesa e vëmëndjes dhe investimeve konkrete për ti kthyer shkëlqimin e dikurshëm dhe për ti dhënë 70 nxënësve të kësaj shkolle mundësinë për tu arsimuar si të gjithë të tjerët.
Bashkia në kërkesën dërguar pak muaj më parë për listimin e investimeve dhe ndërhyrjeve për fëmijët dhe të rinjtë, ka renditur vetëm qendrën rinore, duke lënë jasht vëmëmendjes shkolla dhe kopshte jo shumë larg qendrës urbane.













