Dh*unon të moshuarit për spital, arrestohet autori

Ngjarje e rëndë në Fier. Policia ka arrestuar 47-vjeçarin Ilir Nukaj, i cili ka dhunuar fizikisht 80-vjeçarin, Namik Rustemi dhe bashkëshorten e tij 77-vjeçare. Nukaj, person me preçedent penal për krime ndaj personit. Ai akuzohet për veprën penale ‘‘Plagosje e rëndë me dashje’’.

Ngjarja, sipas informacioneve, ka ndodhur në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të Namik Rustemit. Ndërkohë, si pasojë e dhunës së ushtruar, i moshuari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe i intubuar në spitalin rajonal të Fierit. Bashkëshortorja e tij, pasi ka marrë mjekim është larguar drejt banesës së saj.

NJOFTIMI I POLICISË:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan shtetasin Ilir Nukaj, 47 vjeç, banues në fshatin Povelçë, Fier, person me preçedent penal për krime ndaj personit.

Në fshatin Povelçë, në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të shtetasit Namik Rustemi, shtetasi Ilir Nukaj, për motive të dobëta ka goditur me grushta në pjesën e kokës, shtetasin Namik Rustemi, 80 vjeç dhe bashkëshorten e tij, shtetasen A.R, 77 vjeçe.

Si pasojë e dhunës shtetasi N.R, ndodhet i shtruar dhe intubuar në spitalin rajonal Fier në gjendje të rëndë, në kujdesin e mjekëve. Ndërsa shtetasja A.R pasi ka marrë mjekim është larguar drejt banesës së saj.

Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprën penale ‘‘Plagosje e rëndë me dashje’’.