Policia e Maqedonisë së Veriut e mbështetur nga Europoli dhe policinë e disa shteteve të tjera, në bashkëpunim me prokurorinë e vendit, ka arrestuar 7 nga 16 persona, anëtarë të një grupi kriminal.
Në konferencë për mediat ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski tha se grupi në fjalë merrej me trafik droge dhe vrasje, mes tyre dhe të ekzekutimit të një shqiptari. Si rezultat i hetimeve dhe të dhënave të marra, janë siguruar provat se organizatori i grupit kriminal është Sheval Muaremi, nga fshati Gërcec i cili, nga mediat maqedonase njihet si “bosi i Gërçecit”.
Sipas ministrit Spasovski, janë siguruar dëshmi se grupi i Sheval Muaremit ka kryer vrasjen e një personi nga Bardovci, më pas vrasjen e një shtetasi shqiptar dhe më pas vrasjen e dyfishtë në Fushë Tophanë të Shkupit.
