Nëse nuk e kuptojmë që çështja e ndotjes së mjedisit është problem madhor dhe kërkon angazhimin e të gjithëve atëherë e kemi humbur betejën me një jetë të shëndetshme në qytetin tonë dhe do të diskutojmë pasojat që thuajse çdo familje elbasanase ka pasur dhe ka për shkak të ndotjes së mjedisit.
Ndotja e mjedisit mbetet sfida ime më e madhe profesionale nga momenti i parë që kam shkelur në një televizion lokal dhe fillova rrugëtimin tim si gazetare. Mbaj mend që sfidat në 2002-shin e largët ishin të mëdha dhe kompania Kurum, Darfo apo ECF e dikurshme nuk kishin filtra për filtrimin e tymrave që shkarkonin. Një luftë edhe mediatike është bërë që këto kompani të vendosnin sistemet e pluhurkapjes jo se i kërkonte media por legjislacioni shqiptar po përafrohej me atë europian dhe mbrojtja e mjedist po kthehej në një detyrim për tu përmbushur në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sot në vitin 2023 një muaj nga Dita e Mjedisit ne ndodhemi në periudhën më të keqe sa i përket mbrojtjes së mjedisit. Aktualisht Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk kryen asnjë monitorim por ja ka lënë në dorë kompanive të mëdha të vetëmonitorohen e të dorëzojnë raporte sipas afateve të përcaktuara në lejen e tyre mjedisore.
Ndërkohë Agjencia Rajonale e Mjedisit është spostuar me dëshirën e madhe të deputetit Blendi Klosi në Berat si një favor ndaj Beratit për të pasur ca vende pune.
Ndërsa Inspektoriati i dikurshëm i Mjedisit u shkri e më pas u refermua duke kaluar në IKMT, ku mungon çdo gjë për të monitoruar apo detyruar ndotësit të respektojnë normat mjedisore.
Veç kësaj Elbasanit iu shtua vitet e fundit edhe Inceneratori i mbetjeve urbane. Kështu fusha e grumbullimit të mbetjeve u spostua rreth një kilometër në vijë ajërore që si për koiçidencë iu bashkua edhe ndotësve të tjerë industrialë. Djegia e paseleksionuar e mbetjeve sipas ekspertëve shkakton ndotje. Këtë ndotje e ndjejnë sidomos banorët përreth inceneratorit, të cilët kur ai punon shoqërohen nga një erë e rëndë mbytëse për shkak të djegies së mbeturinave.
Në një zonë ku numri i të sëmurëve me kancer nga viti në vit është rritur, numri i fëmijëve me autizëm, alergjitë dhe sëmundje të tjera të rrugëve të frymëmarrjes po dominojnë, nuk bëhet fjalë për zhvillim ekonomik.
Pse heshtim ne, qytetarët e Elbasanit? Unë mendoj se heshtja vjen nga mosveprimi. Njerëzit kanë humbur besimin se gjërat ndryshojnë nëse ngre zërin. Aq më tepër çështja e mjedisit që pasojat i ka të padukshme në një kohë të afërt por fatale nëse nuk ka reagim.
Pra nëse industria duhet të zhvillohet e të vazhdojë punën e saj duhet ta bëjë në kushte të forta të mbrojtjes së mjedisit.
Nuk kam parë një reagim të kryetarit actual të bashkisë dhe një veprim të drejtpërdrejtë pikërisht për këtë çështje madhore veç mbjelljes së disa pishave në metalurgji që janë shtuar sidomos gjatë muajit të fushatës. Bashkia ka një drejtori të veçantë të mjedisit, ka premtuar vit pas viti monitorim dhe presion ndaj kompanive për të ruajtur nën normat e BE parametrat e ndotjes, por nuk ka bërë asgjë. Këshilli Bashkiak këto 4 vite ka qenë inegzistent dhe nuk ka marrë qoftë edhe një nismë në këtë drejtim.
Ndaj në mbetet ne sy qytetarë të reagojmë me votë duke pasur parasysh se nëse nuk reagojmë me instrumentin e vetëm që kemi në dorë, atëherë për të gjithë ne do jetë tepër vonë.
