Sherr me sende të forta në Elbasan, arrestohen 4 persona, mes tyre dy vëllezër

Një konflikt fizik, ku dyshohet se janë përdorur edhe sende të forta, ka sjellë arrestimin e katër personave në qytetin e Elbasanit. Mes të arrestuarve janë edhe dy vëllezër.

Ngjarja është regjistruar në rrugën “Thoma Kalefi”, ku, sipas Policisë, katër personat e dyshuar janë konfliktuar fillimisht me njëri-tjetrin dhe më pas me një 30-vjeçar.

Pas marrjes së njoftimit për konfliktin, shërbimet e Policisë së Elbasanit kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirjen në incident.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, katër shtetasit janë arrestuar pasi dyshohet se janë përfshirë në një konflikt fizik dhe me sende të forta, si me njëri-tjetrin, ashtu edhe me një 30-vjeçar.

Materialet procedurale lidhur me rastin i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe përcaktimin e përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë.