Një “çelës vrasës” për inteligjencën artificiale, i cili do të mundësonte mbylljen e plotë të sistemeve në rast se ato bëhen shumë të rrezikshme, mund të duhet të bëhet i detyrueshëm për kompanitë e teknologjisë, sipas Jack Clark, një prej bashkëthemeluesve të Anthropic.
Në një intervistë për BBC, Clark tha se shoqëria mund të kërkojë në të ardhmen që kompanitë e IA-së të kenë një mekanizëm të tillë, ndërsa ngriti edhe mundësinë që funksionimi i tij të verifikohet nga një palë e tretë.
Sipas Clark, shumica e laboratorëve të mëdhenj të IA-së kanë tashmë mënyra të ndryshme për t’i “shkëputur nga priza” sistemet e tyre, përfshirë edhe Anthropic. Megjithatë, ai argumentoi se politikëbërësit mund të shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së standardeve të detyrueshme.
“Duhet t’u kërkohet kompanive që patjetër të kenë një ‘kill switch’? A mund të verifikohet ky mekanizëm nga një palë e tretë?”, pyeti Clark, duke theksuar se këto çështje duhet të bëhen pjesë e debatit më të gjerë politik për sigurinë e IA-së.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur paralajmërimet për rreziqet e inteligjencës artificiale janë shtuar. Një numër drejtuesish, punonjësish të kompanive të teknologjisë dhe ekspertësh të IA-së kanë ngritur shqetësime për mundësinë që zhvillimi i pakontrolluar i kësaj teknologjie të shkaktojë pasoja ekstreme për njerëzimin.
Edhe CEO i Anthropic, Dario Amodei, ka bërë thirrje së fundmi për ngadalësimin dhe monitorimin më të afërt të zhvillimit të IA-së. Ai ka theksuar se masat për kontrollin e teknologjisë duhet të ndërmerren pa dëmtuar avantazhin komercial të kompanive.
Anthropic, e themeluar në vitin 2021 nga ish-punonjës të OpenAI, është aktualisht një nga kompanitë në qendër të debatit global mbi sigurinë dhe të ardhmen e inteligjencës artificiale.




