Bekim Sejdiu është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës.
Sejdiu, i cili ishte propozuar si kandidat pas marrëveshjes mes LDK-së dhe LVV-së, bëri të ditur se për vendimin e tij i kishte njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e dy partive.
Sejdiu ka thënë se vendimin e ka marrë për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij në postin e presidentit, si dhe për shkak të zhvillimeve politike që, sipas tij, e kanë devijuar procesin.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President i Republikës së Kosovës dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, shkruan Sejdiu në Facebook.
Ai zbuloi se rreth dy javë më parë ishte kontaktuar nga përfaqësues të LDK-së dhe më pas ishte ftuar në një takim të përbashkët me delegacionet e drejtuara nga liderët e LDK-së dhe LVV-së.
Në atë takim, sipas Sejdiut, ishte njoftuar se dy partitë, “pas një procesi shterues bisedimesh”, kishin arritur marrëveshje që ai të propozohej si kandidat jopartiak për president.
Sejdiu tha se e kishte pranuar kandidaturën për shkak të krizës institucionale dhe me synimin për të kontribuar në tejkalimin e saj.
“Motivi im i parë dhe i vetëm për ta pranuar propozimin për postin e Presidentit të shtetit ka qenë që të vihem në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional”, deklaroi ai.
Ai tha se kishte pritur që partitë parlamentare dhe deputetët t’i tejkalonin ndasitë për të krijuar institucione të qëndrueshme, por tha se procesi për zgjedhjen e presidentit përfundoi i përfshirë në përplasjet e brendshme politike.
Sejdiu theksoi se nuk kishte pasur ambicie për poste publike jashtë angazhimit të tij akademik dhe profesional, ndërsa falënderoi LVV-në dhe LDK-në për propozimin dhe mbështetjen.
Sejdiu u bëri thirrje partive që të gjejnë një rrugëdalje nga kriza, duke paralajmëruar për pasojat e vazhdimit të polarizimit politik.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, përfundoi ai.




