Ndërron jetë në burgun e Fierit 52-vjeçari Artur Doku, vuante dënim për një vrasje të vitit 1997

FIER – Një i dënuar ka ndërruar jetë këtë të martë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për 52-vjeçarin Artur Doku, banues në Burrel, i cili po vuante një dënim për vrasje të kryer në vitin 1997. Mësohet se atij i kishin mbetur ende për të vuajtur 9 vite e 5 muaj burg.

Paraprakisht dyshohet se shkak i vdekjes kanë qenë problemet shëndetësore, pasi 52-vjeçari vuante nga shqetësime kardiake. Pas përkeqësimit të gjendjes, ai është transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit, ku mjekët kanë konstatuar humbjen e jetës.

Trupi i pajetë është dërguar në morg për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për dokumentimin e plotë të rastit.

Nga informacionet paraprake nuk rezultojnë elementë që të ngrenë dyshime për një ngjarje kriminale. Shkaku zyrtar i vdekjes pritet të përcaktohet pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore.