Vrasja e çiftit në Roskovec, Rozalinda Plaka jep dëshminë e parë: Pashë babanë të shtrirë në kuzhinë

Roskovec – Hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Vidhisht vijojnë, ndërsa grupi hetimor pritet të marrë sërish në pyetje 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng për disa orë nga ish-partneri i saj, Refit Buzi, pas vrasjes së prindërve të saj.

Sipas burimeve pranë hetimit, dëshmia e parë e së resë është fokusuar kryesisht te momentet e para të ngjarjes dhe nuk ka ndihmuar në zbardhjen e motiveve që çuan 35-vjeçarin të kryente krimin e më pas t’i jepte fund jetës, pas rreth 10 orësh negociata me Policinë e Shtetit dhe forcat speciale RENEA.

Në deklarimin e saj para hetuesve, Rozalinda Plaka ka treguar se ishte në gjumë kur dëgjoi zhurma brenda banesës. Pasi u zgjua, ajo pa ish-partnerin e saj të armatosur me një armë gjahu.

“Më kërcënoi të shkoja në makinë me të dhe ta ndiqja nga pas”, mësohet të ketë deklaruar 24-vjeçarja.

Ajo ka pohuar se në ato çaste nuk e kishte kuptuar plotësisht se çfarë kishte ndodhur në banesë, ndërsa ka parë vetëm babanë e saj, Kosta Plaka, të shtrirë në dyshemenë e kuzhinës. Sipas dëshmisë, ajo nuk arriti ta shihte nënën e saj, Belere Plaka.

Lidhur me motivet e ngjarjes, përfundimin e marrëdhënies me Refit Buzin dhe pretendimet e këtij të fundit se i kishte dërguar nga Anglia 830 mijë paund për t’i ruajtur, të cilat sipas tij nuk i ishin kthyer, 24-vjeçarja nuk ka dhënë ende shpjegime. Për këtë arsye, hetuesit pritet ta marrin sërish në pyetje në kuadër të vijimit të hetimeve.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 24 korrik në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Si pasojë e sulmit humbi jetën në vend Kosta Plaka, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra.

Pas krimit, Refit Buzi mbajti peng ish-partneren e tij dhe u mbyll në automjetin e tij. Pas rreth 10 orësh negociata me forcat e policisë, ai i dha fund jetës. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje tragjike vijojnë.