Tiranë, 30 qershor 2026 – Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestës së zhvilluar këtë të martë para Kuvendit të Shqipërisë, duke shprehur shqetësim për mënyrën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.
Në një deklaratë për shtyp, KShH thekson se, bazuar në pamjet e publikuara në media, ndërhyrja e policisë është shoqëruar me përdorim të forcës fizike, shoqërime të protestuesve në komisariat dhe raste ku protestues janë tërhequr zvarrë. Sipas organizatës, këto pamje paraqesin ngjashmëri me incidentin e protestës së zhvilluar në Zvernec rreth një muaj më parë.
Komiteti rikujton se e drejta për tubim paqësor garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke nënvizuar se çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të jetë i parashikuar me ligj, i domosdoshëm dhe proporcional.
Në deklaratë, KShH i referohet edhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas së cilës autoritetet shtetërore duhet të tregojnë tolerancë ndaj tubimeve paqësore dhe përdorimi i forcës duhet të mbetet masa e fundit. Organizata vlerëson se tërheqja zvarrë dhe përdorimi i forcës fizike ndaj protestuesve ngre shqetësime për respektimin e dinjitetit dhe integritetit të personit.
Sipas KShH-së, duke qenë se protesta është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë paqësore gjatë rreth një muaji, çdo përdorim i forcës duhej të ishte i justifikuar, proporcional dhe në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Komiteti u bën thirrje autoriteteve të garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës për protestë paqësore, të respektojnë standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për përdorimin e forcës dhe të sigurojnë respektimin e garancive procedurale për çdo person të shoqëruar nga policia.
Gjithashtu, KShH i kërkon Prokurorisë të zhvillojë një hetim të pavarur dhe efektiv për çdo pretendim mbi përdorimin e tepruar të forcës gjatë protestës.
Në të njëjtën kohë, organizata u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë që të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë paqësore dhe të shmangin çdo veprim që mund të përshkallëzojë situatën.
Deklarata e Komitetit Shqiptar të Helsinkit:
Deklarate per Shtyp_Lidhur me incidentet ne protesten e mbajtur para Kuvendit ne dt.30 Qershor 2026




