Projekti BID mes premtimeve për rivitalizim, kritikave për mungesë transparence dhe frikës për humbjen e autenticitetit
Nga Bardha Nergjoni
“Spolia” është një term i njohur në arkeologji dhe histori. Ai përshkruan praktikën e ripërdorimit të gurëve, kolonave apo elementeve arkitektonike të marra nga monumente më të vjetra për të ndërtuar ose restauruar objekte të reja. Në shumë raste është konsideruar një mënyrë për të “arnuar” historinë, duke sakrifikuar autenticitetin në favor të funksionalitetit.
Pikërisht ky term u perdor nga arkitekti turk në dëgjesën e parë publike për të përshkruar mënyrën se si po konceptohet projekti BID për Kalanë e Elbasanit.
Bashkia e Elbasanit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) e prezantojnë projektin si një ndërhyrje që do ta kthejë kalanë në zemrën ekonomike dhe turistike të qytetit. Sipas dokumenteve të paraqitura, projekti synon restaurimin e ndërtesave me vlera historike, përmirësimin e hapësirave publike dhe krijimin e funksioneve të reja kulturore e ekonomike. Procesi ndodhet ende në fazën konceptuale sipas tyre dhe do të pësojë ndryshime.
Por jashtë prezantimeve optimiste, debati është shumë më i gjerë.
Banorë të lagjes Kala dhe specialistë të trashëgimisë kulturore shprehin shqetësime se konsultimi publik ka ardhur vetëm pasi koncepti ishte hartuar, ndërsa komuniteti nuk është përfshirë realisht në fazën e projektimit. Sipas tyre, dëgjesat kanë më shumë karakter informues sesa vendimmarrës.
Shqetësimi kryesor mbetet filozofia e ndërhyrjes.
A do të ruhet autenticiteti i Kalasë apo ajo do të shndërrohet në një produkt turistik me elementë bashkëkohorë që rrezikojnë të zbehin identitetin historik?
Pikërisht këtu lind krahasimi me “spolia”, përdorimi i trashëgimisë si material për një projekt të ri, ku historia rrezikon të shërbejë më shumë si dekor sesa si vlerë që duhet mbrojtur.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, kjo çështje u kthye në një nga temat më të debatueshme. Këshilltarët e opozitës kërkuan sqarime nga kryebashkiaku lidhur me projektin BID, procedurat e ndjekura dhe lidhjen e tij me vendimmarrje të mëparshme të këshillit. Debati u zhvillua në një klimë tensionesh politike, duke reflektuar ndarjet që projekti ka krijuar edhe në nivel institucional.
Dokumentet e konsultimit publik flasin për një masterplan të udhëhequr nga konservimi dhe ndërhyrje minimale, ndërsa Bashkia garanton se vendimmarrja finale do të respektojë kuadrin ligjor dhe sugjerimet e komunitetit. Projektimi i BID kushton 745 000 Dollarë dhe është financuar nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim AADF.
Edhe pas konsultimit pyetjet mbeten të hapura:
Sa do të merret parasysh konsultimi me banorët?
Kush i ka hartuar dhe përzgjedhur alternativat e projektit?
A do të mbizotërojë restaurimi shkencor apo transformimi urban?
Kush do të përfitojë ekonomikisht nga rijetëzimi i Kalasë?
Dhe mbi të gjitha, a do të mbetet Kalaja e Elbasanit një monument autentik, apo do të kthehet në një version të “arnuar”keq të vetvetes?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të përcaktojnë nëse projekti BID do të mbahet mend si modeli i një rivitalizimi të suksesshëm, apo si një tjetër rast ku zhvillimi u vendos mbi trashëgiminë dhe qytetarët e marrin vesh të fundit se çfarë do të ndodhë me zonën historike. Kujdes, trashëgimia nuk ka kthim pas, dëmi nuk mund të zhbëhet!




