VLORË – Një incident i pazakontë është regjistruar në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, ku një grua është ndaluar nga shërbimet e sigurisë pasi gjatë kontrollit në hyrje iu konstatua një objekt i mprehtë.
Sipas burimeve, gruaja kishte shkuar në gjykatë për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore, por në momentin që kaloi në skaner, pajisja sinjalizoi praninë e një objekti metalik.
Menjëherë pas sinjalit, ajo ka tentuar të largohej nga zona e kontrollit për t’iu drejtuar daljes së godinës, por është ndaluar nga efektivët e sigurisë së gjykatës, të cilët kanë njoftuar policinë.
Pas mbërritjes së uniformave blu, gruaja mësohet të ketë kërkuar të shkonte vetë drejt automjetit të saj, duke kundërshtuar kontrollin fizik nga efektivët meshkuj. Sipas burimeve, ajo është shprehur se besimi fetar nuk ia lejonte prekjen nga persona të seksit mashkull.
Gjatë verifikimeve, autoritetet konstatuan se gruaja mbante me vete një thikë me përmasa të mëdha, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Ende nuk dihen motivet e mbajtjes së thikës në ambientet e gjykatës, ndërsa burime paraprake dyshojnë se ajo mund të ishte përdorur gjatë procesit gjyqësor.
Pas ngjarjes, gruaja është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.













