Një vit pa Artan Lamen: Nëna me zemrën e thyer, lotët e Mirelës dhe Lisia plot krenari, Artan Lame i mbledh të gjithë miqtë në ditën e tij

Në përvjetorin e një viti nga ndarja nga jeta e Artan Lames, familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë u mblodhën për ta përkujtuar publicistin, historianin, atdhetarin dhe njeriun që dinte të lehtësonte edhe dhimbjen më të madhe.

Në rreshtin e parë të ceremonisë qëndronte nëna e tij, Diana, e cila vazhdon të përjetojë mungesën e birit të saj. Pranë saj ishte bashkëshortja, Mirela, e cila nuk mundi të fshehë lotët gjatë gjithë ceremonisë. Vajza e tyre, Lisia, duke qëndruar pranë, përfaqësonte pasqyrimin e Artanit – të njëjtin pasion, qetësi dhe energji që ai transmetonte tek të gjithë ata që e njihnin.

Ceremonia përkujtimore mblodhi dhjetëra miq, bashkëpunëtorë dhe figura të njohura të jetës publike shqiptare, mes të cilëve ministra, politikanë, studiues, analistë dhe gazetarë si Aleksandër Çipa, Afrim Krasniqi, Anila Basha, Mero Baze, Ylli Ndroqi, Beti Njuma, Pirro Vengu, Olta Xhaçka, Artan Gaçi, Blendi Gonxhja, Artan Shkreli, Namik Dokle, Mariglen Disha, Tomi Frashëri dhe Eduard Dervishaj. Ata ndanë kujtime dhe vlerësime për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në jetën publike dhe kulturore të vendit.

Artan Lame, i lindur në Tiranë në vitin 1967, e lidhi jetën e tij me historinë, kujtesën dhe identitetin shqiptar. Përmes rubrikave të njohura si “Shqipni e harrume” dhe “Shqipni tavolinash”, si edhe përmes dhjetëra analizave dhe botimeve, ai ofroi një mënyrë të re të të parëit të Shqipërisë, me dashuri, realizëm dhe përgjegjësi qytetare.

Gjatë karrierës, ai mbajti poste të ndryshme publike: nga Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe zëvendësministër, deri te drejtimi i ALUIZNI-t dhe më pas i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Në gjithë aktivitetin e tij, Lame nuk kërkoi protagonizëm, por lejoi që puna dhe mendimi i tij të flisnin vetë, duke fituar respektin e publikut, miqve dhe kolegëve.

Një vit më parë, zemra e Artan Lames pushoi së rrahuri në Gjermani, ku ishte nën trajtim pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Edhe pse ai nuk është më mes nesh, kujtimi dhe vepra e tij vazhdojnë të jetojnë tek familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësuan për mendimin kritik, kulturën dhe dashurinë për historinë e Shqipërisë.