Pasi Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë gjetur dakordësinë për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, deputeti socialist Erion Braçe ka dalë kundër vendimit të partisë.
Braçe tha se do të votonte kundër rregullores së re, pasi sipas tij ajo zbeh rolin kontrollues të deputetit dhe përqendron kompetenca që Kushtetuta ia njeh çdo deputeti në duart e një komisioni të vetëm.
“Detyra ime është të bëj deputetin. Rregullorja e re përqendron disa instrumente në duart e një komisioni, të cilat janë instrumente kushtetuese të kontrollit parlamentar që i ka çdo deputet i Kuvendit, jo një komision i vetëm.
Nuk më erdhi mirë për disa ndryshime që janë bërë në rregullore. Çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e tregut, praktikisht, rregullorja mua më mohon një të drejtë të tillë.
I jep 15 ditë kohë institucionit që të më kthejë përgjigje. Ka institucione ku informacioni që unë kërkoj merret vetëm me një ‘enter’. Institucionet kanë detyrimin të kthejnë përgjigje ndaj një deputeti që kërkon informacion”, tha ai.
Më tej, deputeti socialist theksoi se, po të votohej sot në Kuvend, vota e tij do të ishte kundër ndryshimeve.
“Përqendrimi i instrumenteve të kontrollit parlamentar në një komision, natyrisht, nuk është një gjë e mirë. Do të votoja kundër kësaj rregulloreje”, deklaroi Braçe.













