Zjarri përfshin rreth 20 hektarë në Peqin, ndërhyjnë zjarrfikësit dhe dy helikopterë

Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar ditën e sotme në zonën e fshatrave Galush dhe Gjevurtë, në Njësinë Administrative Përparim të Bashkisë Peqin.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë rreth 20 hektarë sipërfaqe me ullishte, pemëtore dhe shkurre, ndërsa situata në terren paraqitet e vështirë.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar dhjetëra forca zjarrfikëse dhe mjete nga Peqini, si edhe nga bashkitë përreth.

Për të ndihmuar në neutralizimin e flakëve janë angazhuar edhe dy helikopterë, të cilët po ndërhyjnë nga ajri në zonat ku terreni e bën të vështirë aksesin e mjeteve zjarrfikëse.

Era e fortë dhe terreni i vështirë kanë favorizuar përhapjen e flakëve dhe kanë komplikuar ndërhyrjen e ekipeve në terren.

Forcat zjarrfikëse po punojnë për të vënë nën kontroll vatrën dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në sipërfaqe të tjera.

Ndërkohë, strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve po zhvillohet paralelisht nga toka dhe ajri.