Zjarri në Qendrën Spitalore në Tiranë, çfarë ndodhi te Urgjenca?

Një zjarr ka rënë mëngjesin e të dielës, rreth orës 05:30, në urgjencën e re të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” QSUT.

Sipas informacioneve paraprake nga policia, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, zjarri ka rënë në bodrum tek bateritë.

Në fotot që ju sjell noa.al në galeri shikoni si nxirren pacientët pas zjarrit dhe tymin që del nga kati përdhes.

Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar, ndërkaq grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Shumë pacientë u dërguan me autoambulanca në Sanatorium, por jo ata të repartit të terapisë intensive (reanimacionit).

Për shkak të tymit të çliruar nga zjarri, bluzat e bardha thonë se po bëjnë përpjekje që ai të mos shpërndahet në dhomat e pacientëve.

Çfarë thotë policia:

Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re.

Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkaq, një reagim ka pasur edhe QSUT, që tha se ka deklaruar se situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Çfarë thotë QSUT:

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës se QSUT është raportuar tym.

Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar. Situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen.

Nuk ka asnjë të dëmtuar dhe pacientët janë të gjithë të akomoduar në godina të sigurta, ku janë shërbimet e tjera të urgjencës në QSUT.

Në sajë të angazhimit të personelit mjekesor, mbështetës dhe atij zjarrëfikës situata është nën kontroll.