Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me policinë nisi hetimet për ndotje të mjedisit ndaj kompanisë Kurum për shkak të zjarrit që nisi një ditë më pare, ndonëse ekspert të sigurisë së saj e konsideruan ngjarjen një natë më parë aksidentale.
E gjithë masa e skrapit e grumbulluar prej disa muajsh pjesë e së cilës ishin bateri të ndryshme makine shte mjaft e vështirë të shuhej, ndërsa shtëllunga tymi vijojnë të clirohen në ajër. Banorë të zonës për gazetaren Entela Duka shprehen të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve, pasi sipas tyre këto janë episode të përsërituara. Njëzëri ata kërkojnë që organet kompetente të marrin masa.
“Kjo ka ndodhur shumë shpesh. Duhet te merren masa se ky vend ështe i ndotur. Ngjarja mund të jetë aksidentale po ky popull është i helmuar. Organet e drejtësisë të marrin masat.
Ndotjen e kemi gjithmonë por dje më keq. Fëmija nuk pranon të jetojë , shit shtëpinë të largohemi thotë. Institucionet nuk duhet të heshtin se ka të bëjë me shëndetin”- u shprehën disa prej banorëve.
Një lumë reagimesh nuk kanë munguar as në rrjetet sociale, ku qyetarët kanë shprehur indinjatën dhe frikën e tyre për pasojat që ka lënë pas zjarri.
Kujtojmë se ekipet e zjarrfikësve së bashku me gjithë mjetet që disponojnë janë ndodhur në vendngjarje që prej orës 10 të mëngjesit të një dite më parë.I gjithë zjarri mendohet se nisi si pasojë e materialeve të djegshme, bateri makinash, vajra dhe materiale të tjera të djegshme që në fillim lëshuan tym dhe më pas zjarri përfshiu gjithë masën e skrapit, duke e bërë të vështirë shuarjen e tij.
