Durrës, 11 qershor 2025 – Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë katin e parë të një pallati në Durrës, duke shkaktuar panik dhe evakuim të menjëhershëm të banorëve nga zona. Flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa tymi i dendur ka alarmuar të gjithë lagjen.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse me tre mjete të specializuara. Sipas burimeve nga shërbimi emergjent, ekipet po punojnë për izolimin e flakëve, ndërsa vatra e zjarrit është ende aktive.
Situata konsiderohet serioze për shkak të pranisë së depozitave me hidrokarbure në hapësirat e përbashkëta, të cilat shërbejnë për kaldajat e pallatit. Kjo ka shtuar rrezikun për shpërthime dhe ka detyruar policinë të evakuojë banorët në një rreze sigurie të zgjeruar.
Fatmirësisht, deri në këtë moment nuk raportohen të lënduar në njerëz, megjithëse një zjarrfikës është ndjerë keq gjatë ndërhyrjes dhe ka marrë ndihmë mjekësore në vend. Dëmet materiale pritet të jenë të konsiderueshme.
Grupi hetimor i policisë ndodhet në terren dhe ka nisur dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta.
