Një zjarr ka përfshirë pasditen e së martës magazinën e fabrikës “Optimal”, e vendosur në zonën e ish-Metalurgjikut në Elbasan.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer në ambientet e magazinës së kompanisë që prodhon letra të lagura dhe produkte të tjera higjieno-sanitare. Fabrika operohet nga investitorë turq.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Shërbimit Zjarrfikës, si dhe efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët po punojnë për izolimin e vatrës së zjarrit dhe normalizimin e situatës.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Policia ka nisur veprimet procedurale dhe verifikimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet vijojnë operacionin për shuarjen e plotë të flakëve, ndërsa pritet një bilanc i dëmeve materiale pas përfundimit të ndërhyrjes dhe ekspertizës në terren.




