Zela Koka, Njeriu i Vitit 2023 për kontributin e saj për personat me AK/ ‘Sfidat e mia vazhdojnë’

Zela Koka është një një imazh që nëse e takon dhe këmben dy fjali, e kupton mirësinë dhe vlerat e saj. Për të jeta nuk ka qenë aspak e thjeshtë. Gëzimi i lindjes së Doris, fëmijës së parë, nuk do të zgjaste shumë pasi zbuloi sëmundjen e paralizës celebrale tek një foshnjë.
Bashkëshortët takuan shumë specialistë dhe do të kujtojnë Virgjil Nanon, në atë kohë drejtor i shkollës speciale “Luigj Gurakuqi”. Zela tregon se Virgjili jo vetëm e vlerësoi djalin e tyre por erdhi deri në Librazhd aty nga viti 1990 dhe bëri vlerësim edhe për fëmijë të tjerë me AK.

  1. “Unë kam profesionin e mësueses dhe në atë kohë isha drejtuese shkolle. E doja shumë arsimimin e djalit ndaj e futa në klasën e parë në moshën 9 vjeç me tre bashkëmoshatarë po me aftësi të kufizuara. Të katër fëmijët i ndava në klasa të para dhe këtu filloi edhe rrugëtimi për tu kujdesur për personat me aftësi të kufizuar”.
    Ajo tregon se Virgjil Nano e ka këshilluar të angazhohet edhe në ngritjen e shoqatave të prindërve. “Në vitin 1993 u angazhova fort me bashkëshortin Nazmi Koka në ngritjen e shoqatës së prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuar në qytetin e Librazhdit. Ishte Nazmiu që drejtoi shoqatën MEDPAK deri në vitin 2012 kur edhe u nda nga jeta” tregon Zela.
    Me ngritjen e organizatës Zela iu përkushtua mbrojtjes së të drejtave të personave me aftësi të kufizuar. Ajo së bashku me bashkëshortin u trajnuan për advokim dhe lobim si dhe në menaxhimin e projekteve kushtuar këtyre personave.
    Pas vdekjes së bashkëshortit ajo zgjidhet nga anëtarësia e shoqatës për drejtimin  e MEDPAK në vazhdim, ku përkushtimi i saj dhe stafit i kanë dhënë një emër të mirë organizatës MEDPAK.
    MEDPAK ka mbushur 30 vjet si shoqatë prindërish me qendër në Librazhd dhe tashmë me filiale në 9 bashki me qëllim përmbushjen e misionit, “Krijimin e një jete dinjitoze për personat me AK bazuar në legjislacionin shqiptar dhe udhëhequr nga vizioni ‘të barabartë në të drejta dhe të ndryshëm në nevoja’”.

Po cila ka qenë sfida më e madhe e saj?
Sfida më e madhe që unë kam pasur është bashkimi i prindërve për të luftuar për të drejtat e fëmijëve me AK: thotë Zela.
Ajo tregon se ata që kanë mundësi ekonomike dhe janë të arsimuar kanë më shumë provleme në këtë përfshire për shkak të kulturës së mospërfshirjes si dhe kultura e krijuar në moszbatimin e ligjit.
Një tjetër sfidë sipas Kokës, është fakti se personat që punojnë me këtë kategori kanë pagesa shumë të vogla, jo shumë të specializuar dhe nuk punojnë me shumë dëshirë gjë që bën që shërbimet për AK të jenë akoma minimale.
Ajo tregon se mësuesit ndihmës janë me kohë të pjesëshme, të paspecializuar.
Po kështu mungesa e shërbimeve për moshat mbi 21 vjeç, që bën që familjet të jenë e vetmja mundësi për këto grupmosha duke mos i dhënë mundësi atyre të krijojnë një jetesë të pavarur.
Ajo thotë se legjislacioni është i përkryer mbi kujdesin për familjen dhe PAK por zbatimi mbetet një sfidë më vete.

Vlerësime të merituara
Për të gjithë kontributin e saj 30-vjeçar, Zela është vlerësuar me shumë çmime dhe kryesisht nga të huajt. Kështu në vitin 2016 merr çmimin e Vitit për të drejtat e njeriut nga OSBE. Disa vlerësime kanë ardhur për MEDPAK për kontributin pr fëmijët me AK.
Në 2023 shoqata MEDPAK, ne kuadrin e 100 vjetorit te Rehabilitation International ( R I ) u nderua me çmimin e dhënë ndaj MEDPAK për punën e mrekullueshme që kemi bërë në Shqipëri për personat me aftësi të kufizuara” tregon Zela.
Vetë ajo është vlerësuar me disa tituj nga njësia vendore. Kështu në vitin 2016 do të merrte Mirënjohja e qytetit dhe në vitin 2017 titullin Qytetare Nderi e bashkisë Librazhd me motivacion “ Punë të palodhur dhe kontribut të madh në fushën e arsimit, promovuese e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuar.”
Së fundi në kuadër të ditës kombëtare të Aktivizmit NAD ajo u vleresua për kontributin e saj për personat me aftësi të kufizuar të organizuar nga COPLAN dhe të financuar nga Ambasada Amerikane.

Për Zelën vlerësimet nuk përfundojnë këtu pasi ajo është vlerësuar jo vetëm në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar por edhe nga shumë prindër e fëmijë.
Zela nuk ka vetëm një sfidë personale për djalin e saj, ajo ka marrë përsipër një sfidë shoqërisë për respektimin e të drejtave të personave me AK dhe mbetet një protagoniste e heshtur që fëmijët dhe të gjithë grupmoshat të kenë një jetë më dinjitoze dhe një rol në shoqëri me aftësi të ndryshme dhe mundësi të barabarta për të gjithë.