Një sasi eksplozivi e zbuluar pranë zonës së Velierës mbrëmjen e së martës ka vënë në alarm autoritetet, duke detyruar vendosjen e një perimetri sigurie dhe ndërprerjen e qarkullimit për më shumë se 12 orë. Ekspertët xhenierë ndërhynë menjëherë dhe neutralizuan lëndën plasëse në mënyrë të kontrolluar, ndërsa forcat e policisë dhe grupi hetimor qëndruan në terren gjatë gjithë natës.
Perimetri i sigurisë u mbajt i vendosur deri në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, kur pas përfundimit të hetimeve dhe mbledhjes së provave në vendngjarje, u hoqën shiritat e sigurisë dhe u lejua rifillimi i qarkullimit të automjeteve.
Ngjarja mbetet ende nën hetim dhe e mbuluar me mister. Deri në këto momente, policia nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar lidhur me sasinë e eksplozivit, mënyrën se si u zbulua apo ndonjë person të dyshuar.
