Xhelozia shkaktoi vrasjen e shqiptarit në Itali, trupi i Gjergj Pergegajt kthehet në Shqipëri

Trupi i Gjergj Pergegajt, 29 vjeç, i cili humbi jetën më 20 mars në Olmo, pranë Arezzos në Itali, i është dorëzuar familjes dhe do të përcillet për t’u varrosur në vendlindjen e tij në Shqipëri.

Pergegaj kishte jetuar rreth pesë vjet në Itali, ku punonte në ndërtim. Sipas hetimeve, ai u qëllua me armë zjarri nga një bashkëkombës, Edison Beluli, 35 vjeç, i cili tashmë ndodhet në burg, i akuzuar për vrasje me dashje.

Në qendër të konfliktit dyshohet të jetë një grua e re, e cila kishte qenë më parë në lidhje me viktimën dhe më pas nisi një marrëdhënie me autorin. Mes tyre kishin pasur konflikte të mëhershme.

Ekspertiza mjeko-ligjore e kryer në Siena ka zbardhur detaje të plagëve: një plumb i qëlluar nga afër në fyt rezultoi fatal, ndërsa një tjetër e goditi në kraharor. Dy të shtëna të tjera nuk e prekën viktimën.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, kur Pergegaj u qëllua me një pistoletë tip Glock, e cila rezultoi e vjedhur një vit më parë në Assisi. Arma ishte siguruar nga autori pak ditë para krimit.

Incidenti u regjistrua nga kamerat e sigurisë, ndërsa një person i tretë ndërhyri për të ndaluar autorin, i cili më pas u largua drejt Rigutinos, por u arrestua nga policia.

Familjarët kanë nisur procedurat për riatdhesimin e trupit dhe organizimin e ceremonisë mortore, e cila pritet të zhvillohet së shpejti. Pergegaj përshkruhet nga të njohurit si një person i qetë dhe punëtor.

I arrestuari përfaqësohet nga avokati Luca Turchetti dhe ka zgjedhur të mos japë dëshmi deri më tani.