Washington Post: Pse ambientalistët po kundërshtojnë investimin e Jared Kushner në Zvërnec!

Në një artikull kushtuar investimeve të dhëndrit të ish-presidentit Donald Trump në Ballkan, “Washington Post” shkruan se Jared Kushner po planifikon dy investime të rëndësishme në Shqipëri, por ajo më e diskutueshme është në zonën bregdetare të Zvërnecit, një parajsë e izoluar me plazhe dhe shkëmbinj me detin Adriatik në njërën anë dhe një lagunë nga ana tjetër.

Kushner, i cili hapi firmën e tij private të kapitalit “Affinity Partners” pas largimit të Trump nga Presidenca, ka punuar me Richard Grenell, i cili ushtroi detyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në Qeverinë e Trump, për planet për t’u zhvilluar si në Shqipëri ashtu edhe në Serbi.

Sipas Washington Post, të dy kanë bashkëpunuar ngushtë me kryeministrin “shumë transaksional” të Shqipërisë, Edi Rama mbi planet për të zhvilluar një pjesë të tokës së mbrojtur në vendin e Evropës Jugore.

Megjithatë, ambientalistët thonë se planet e Kushnerit për të rrafshuar sipërfaqet e mbrojtura në zonën bregdetare të Zvërnecit mund të rezultojnë të rrezikshme për florën dhe faunën e rrallë dhe të çekulibrojnë ekosistemin. CEO i “Patagonia”, Ryan Zellert, tha për Washington Post se ka “shqetësime të mëdha” për zhvillimin e këtij resorti.

“Është një zonë mahnitëse, unike në të gjithë Mesdheun”, tha ai. “Dhe ideja që ata duan ta zhvillojnë, veçanërisht në mungesë të një masterplani, është një ide vërtet e keqe.”

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, i tha gazetës se “e gjithë Shqipëria është e hapur për zhvillim”. Ajo hodhi poshtë shqetësimet e ambientalistëve, duke thënë se ata duan që qeveria “të braktisë rajonin përgjithmonë dhe të ketë vetëm zogj. Ajo shtoi se Shqipëria nuk mund të sakrifikojë përparimin ekonomik dhe të lërë tokën e mbrojtur të paprekur, veçanërisht pasi sipërfaqa e zonave të mbrojtura përbën afërsisht 21% të sipërfaqes totale të Shqipërisë.

Në artikull thuhet edhe se në një nga udhëtimet e tij të shumta në Shqipëri gjatë viteve të fundit, Jared Kushner shkoi për shëtitje përgjatë shtrirjes së vijës bregdetare të Mesdheut me duna të pacenuara rëre dhe plazhe të mbushura me shkëmbinj. Vendi, tha ai në një intervistë, ishte “madhështor” dhe tani po kërkon ta shndërrojë këtë zonë të Shqipërisë në një ndër resortet më luksoze në botë. Do të ishte projekti më i madh i Kushnerit ende duke përdorur një pjesë të fondit të tij të kapitalit privat prej rreth 3 miliardë dollarësh – financuar kryesisht nga investitorë në Arabinë Saudite dhe shtete të tjera të Lindjes së Mesme – duke sjellë turizmin ndërkombëtar në një zonë që ngeci gjatë viteve të komunizmit dhe neglizhencës.

Ai punësoi ish-zyrtarë të Trump dhe mori 3 miliardë dollarë fonde, sipas dosjes së Komisionit të Letrave me Vlerë, ku përfshihen 2 miliardë dollarë nga fondi i pasurisë sovrane të Arabisë Saudite.

Përveç shqetësimeve të ngritura nga ambientalistët, edhe aktivistët e antikorrupsionit japin alarmin për këtë zhvillim.

The Washtington Post sjell në vemendje burimin e financimit për të ngritur shqetësimin nëse Kushner ka shfrytëzuar pushtetin dhe lidhjet me Trump, gjatë kohës kur ishe president. Në artikull thuhet se financimi i Kushnerit nga burime kryesisht të huaja krijon një pamje që investitorët e Affinity nuk janë të motivuar nga interesat komerciale për të kërkuar një kthim nga investimi, por nga konsideratat strategjike të shtetasve të huaj që kërkojnë të derdhin para për individët amerikanë me lidhje personale me ish-presidentin Trump. Kushner fillimisht deklaroi se ai do të investonte një sasi të konsiderueshme të parave saudite në Izrael, por kjo nuk ka arritur të realizohet. Në vend të kësaj, Kushner është fokusuar në dy vendet e Ballkanit, Serbi dhe Shqipëri.