Gjykata e Shkallës së Parë në Berat ka vendosur arrest me burg për Kristo Mema (alias Kontandin Oxhaj), 63-vjeç, i akuzuar për vrasje me thikë të 42-vjeçarit Keli Hoxha nga Tirana. Autori ka shprehur pendesë dhe ka kërkuar falje për familjarët e viktimës, duke deklaruar se gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi pasi ishte ofenduar dhe sharë nga familja e viktimës.
Ngjarja ndodhi më 28 tetor, në Kalanë e qytetit të Beratit, rreth orës 15:10. Konflikti mes autorit dhe viktimës filloi pasi Keli Hoxha kishte prekur kalin që Mema përdorte për të shëtitur turistët kundrejt pagesës. Sipas autorit, kali ishte i acaruar dhe nuk duhej prekur. Pas një debati, Mema nxori thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e goditi viktimën.
Pas ngjarjes, Mema u kthye në banesë, lidhi kalin në kasolle, mori ushqime dhe u fsheh në një nga shpellat e Kalasë, duke tentuar të shmangë kapjen nga policia. Viktima Keli Hoxha, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë sapo mbërriti në Spitalin Rajonal Berat. Autoritetet e kapën disa orë më vonë, i fshehur në “shpellën e Memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit.
Autori, i cili kishte kryer më parë një vrasje në Berat në vitin 1993, ishte larguar në Greqi për rreth 25 vjet dhe kishte ndryshuar emrin, ndërsa për vrasjen e mëparshme nuk kishte kryer dënim, pasi vepra ishte parashkruar.
Mëngjesin e sotëm, Mema mbërriti në Gjykatën e Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Berat, nën masa të rrepta sigurie, rreth një orë para seancës. Prokurori Renato Tosku kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “vrasje”, ndërsa gjyqtari Renis Bega e konsideroi të ligjshëm arrestimin dhe caktoi masën e sigurisë.
Në seancë, autori shprehu pendesë, duke deklaruar se gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi, dhe kërkoi falje për familjarët e viktimës.
Ky rast tronditi qytetin e Beratit, duke ngjallur shqetësim për sigurinë e vizitorëve në zonat turistike dhe historike të qytetit.













