TIRANË- Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 41-vjecarin Filip Shehu, i cili vrau me thikë kolegun e tij kuzhinier, Indrit Ismaillari në një lokal tek Komuna e Parisit. Në deklarimet që ka bërë para togave të zeza të Gjykatës se Tiranës, 41-vjecari ka pretenduar se shpesh herë është ofenduar dhe ngacmuar në punë nga kolegu i tij, gjë që nuk e bënte askush tjetër.
“Ai nuk ka pasur asnjë punë me mua sepse nuk ishte shefi im, që të më jepte urdhra”, ka deklaruar 41-vjecari.
Gjithashtu Shehu ka thënë që nga ana e viktimës acarohej dhe sipas tij viktima mbante thikë dhe thoshte nuk e çaj kokën fare për ty. Po ashtu bëhet me dije se 41-vjecari e ka mësuar një ditë më parë që Indrit Ismaillari ka humbur jetën, pasi e dinte vetëm që ishte plagosur dhe ka shprehur ngushëllime familjarëve.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbasditen e 28 Tetorit në lokalin “City Lounge” në zonën e Komunës së Paristi. Ngjarja ka ndodhur, pas një konflikti mes picierit Filip Shehu, 41 vjeç, dhe kuzhinierit Indrit Ismaillari, 34 vjeç, i cili ka ndërruar jetë për shkak plagëve të marra nga goditjet me thikë. Autori është shprehur se është ndier i bullizuar dhe i fyer vazhdimisht nga viktima.













