Një krim i rëndë tronditi paraditen e sotme qytetin e Shkodrës, ku një grua amerikane humbi jetën si pasojë e dhunës në familje. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:15 në lagjen “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira nga një çift turistësh amerikanë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, viktima është Sandra Saporito, 54 vjeçe, ndërsa autori i dyshuar i vrasjes është bashkëshorti dhe bashkëjetuesi i saj, Brandon Saporito, 57 vjeç. Dyshohet se ai e ka goditur atë me mjet prerës (thikë), duke i shkaktuar plagë të rënda që çuan në vdekjen e saj.
Pas krimit, Brandon Saporito ka tentuar të vetëvritet duke u plagosur me të njëjtin mjet. Ai është transportuar në spital në gjendje të dehur dhe me dëmtime në duar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Autoritetet po punojnë gjithashtu për të kontaktuar përfaqësitë diplomatike përkatëse dhe për të informuar familjarët e viktimës.
