Vrau efektivin e ‘Shqiponjave’ në Fier/ Gjykata dënon me burg përjetë Azgan Mërnicën

FIER- Gjykata e Fierit ka vendosur dënimin me burg të përjetshëm për Azgan Mërnicën, i cili një vit më parë vrau efektin e Shqiponjës Novruz Cenalian. Prokuroria kërkoi dënimin maksimal për Mërnicën, i cili akuzohej për tre vepra penale, vrasje me armë zjarri të punonjësit të policisë, armëmbajtje pa leje dhe drejtim të parregullt të mjetit.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 maj të vitit të kaluar në fshatin Baltëz. Efektivi Novruz Cenalia ishte nisur për të shkuar në punë, por u përfshi në një debat me Azgan Mërnicën, për radhën e kalimit me makinë në një rrugë të ngushtë. Në këtë moment, 23-vjeçari nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një plumb në kokë la të vdekur në vend efektivin. Mërnica u vetëdorëzua disa ditë pas ngjarjes, pas negociatave me familjarët, ndërsa ka treguar më shumë detaje se si ndodhi ngjarja dhe ku qëndroi i fshehur për 48 orë. Ai tregon se pasi ka kryer krimin ka shkuar në shtëpinë e dajës së tij ka lënë makinën dhe më pas është arratisur nëpër kanale, siç tregon ai për 48-orë, ndërsa shprehet se e kishte marrë uria dhe më pas kthehet te shtëpia e dajës ku dhe është vetëdorëzuar dhe është shoqëruar në polici.