Vrau 24-vjeçarin për motive të dobëta, shpallet në kërkim autori, arrestohen pesë persona për fshehje të krimit

5 persona janë vënë në pranga nga blutë e Tropojës, lidhur me ngjarjen e regjistruar të mërkurën në një lokal në fshatin Breg-Lumë.

40-vjeçari S.S., plagosi me thikë 2 vëllezër dhe një 24-vjeçar, njëri prej të cilëve si pasojë e plagëve ndërroi jetë në spital, ndërsa 2 të tjerët janë ende nën kujdesin e mjekëve.

Policia thotë se pas hetimeve 5 persona u arrestuan pasi akuzohen për mos kallëzim krimi.

Ndërkohë që 1 person është shpallur në kërkim, policia ka referuar tashmë materialet pranë Prokurorisë.

Njoftimi i policisë:

Tropojë

Përkrahën autorin e vrasjes me mjete prerëse të një shtetasi dhe të plagosjes së dy të tjerëve, kryer pasditen e djeshme, për motive të dobëta, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, identifikohen dhe vihen në pranga 5 shtetas.

Ndërkaq, Policia vijon intensivisht kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe policore të kryera menjëherë pas rastit të ndodhur më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, ku për motive të dobëta, shtetasi S. S., 40 vjeç, plagosi me mjete prerëse, shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, si dhe vëllanë e shtetasit V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital, u arrestuan shtetasit:

-A. Q., 39 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

-Xh. M., 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

-A. Sh., 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-A. B., 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-J. K., 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, vijojnë hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjëgjësinë penale të secilit prej këtyre shtetasve.

2 të dëmtuarit vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu, vijojnë kërkimet intensive për kapjen e shtetasit S. S..