KORÇË- Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për 31-vjeçarin, Ilirjan Selmani. I riu akuzohet për vrasjen me thikë të 52-vjeçares, Kozeta Teço dhe më pas djegien e banesës së saj në Pogradec.
31-vjeçari ka mohuar në gjyq autorësinë e krimit dhe ka deklaruar se nuk ka bashkëjetuar asnjëherë me viktimën. Avokati tij i ka kërkuar gjykatës të mos pranojë masën e arrestit me burg, duke argumentuar se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për inkriminimin e tij në vrasje.
Nga ana tjetër, prokuroria ka paraqitur dy prova kryesore në mbështetje të dyshimeve, të cilat janë, njollat e gjakut të gjetura në një palë pantallona, të cilat janë zbuluar në një kazan mbetjesh urbane pranë banesës së viktimës, si dhe pamje filmike ku Selmani shfaqet duke hyrë dhe dalë nga banesa e Teços ditën e ngjarjes.
Ngjarja e ndodhur në lagjen nr. 1, Pogradec, fillimisht u raportua si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj. Më pas gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së trupit të pajetë, janë krijuar dyshime se shkaku i humbjes së jetës së 52-vjeçares nuk ishte asfiksia, sepse në trupin e saj konstatuan dëmtime të shkaktuara me thikë.
Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonë, u bë i mundur identifikimi i autorit, i cili dyshohet se ka patur lidhje intime me 52-vjeçaren, prej 3 vitesh. Pasi ka vrarë 52-vjeçaren dhe i ka vënë flakën shtëpisë, Selmani dyshohet është larguar nga banesa, rreth orës 05:00. Ai akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
