Gjirokastër – Kamber Sulçaj, 48 vjeç, është vetëdorëzuar sot pranë Policisë së Gjirokastrës, si autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi. Ngjarja ndodhi në muajin shtator në fshatin Salari, në Tepelenë, ku viktima u qëllua me breshëri armësh zjarri.
Sulçaj, banues në fshatin Mesaplik të Vlorës, ishte shpallur në kërkim nga autoritetet menjëherë pas ngjarjes. Ai akuzohet se ka qëlluar për vdekje shtetasin italian, i cili jetonte prej kohësh në Shqipëri dhe ushtronte aktivitet biznesi në zonën e Tepelenës.
Motivet e vrasjes nuk janë bërë ende të ditura nga autoritetet, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia pritet të dalë me një njoftim zyrtar në vijim për veprimet procedurale ndaj të dyshuarit.
