Vetëdorëzohen në polici dy vëllezërite akuzuar për plagosjen e dyfishtë

Një ditë pas plagosjes së dyfishtë me armë zjarri në qytetin e Kukësit, janë vetëdorëzuar në Polici këtë të hënë, dy vëllezërit e akuzuar për ngjarjen, të cilët ishin shpallur në kërkim.

Policia bën me dije se dy vëllezërit u vetëdorëzuan nga pamundësia për t’u larguar, për shkak të kontrolleve të shumta.

“Si rezultat i kontrolleve të Policisë dhe nga pamundësia për t’u larguar, 2 vëllezërit e shpallur në kërkim për këtë ngjarje, janë vetëdorëzuar. Në vijim të veprimeve procedurale, pas komunikimit me prokurorin e gatshëm, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasin N. I., 38 vjeç, dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për vëllanë e tij, shtetasin F. I., 39 vjeç, banues në Kodër Lumë.”, bën me dije Policia.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e të dielës, rreth orës 14:35, në vendin e quajtur “Dëshmorët” në Kukës, ku dy vëllezërit u konfliktuan “për motive të dobëta”, me A.C dhe S.K, të cilët mbetën të plagosur.

“Gjatë konfliktit, shtetasi N. I. e ka goditur me qytën e pistoletës shtetasin S. K., si dhe ka plagosur rëndë nga pakujdesia, shtetasin A. C., 36 vjeç, i cili nuk ishte i përfshirë në konflikt.”, bëri me dije Policia.