Ujësjellësi Elbasan sqaron përse qyteti mbeti 48 orë pa ujë

Pas një ndërhyrjeje intensive që zgjati 48 orë pa ndërprerje, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan ka finalizuar me sukses punimet në linjën kryesore të transmetimit, duke bërë të mundur rikthimin e plotë të furnizimit me ujë në zonat e prekura.

Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja është konsideruar ndër më të vështirat për shkak të kompleksitetit teknik dhe rëndësisë së sistemit të transmetimit. Ekipet teknike kanë punuar pa ndërprerje deri në eliminimin e defektit dhe normalizimin e rrjetit.

Përfaqësues të shoqërisë theksuan se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të garantuar funksionimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të furnizimit me ujë, ndërsa falënderuan qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin gjatë periudhës së ndërprerjes.

Gjithashtu, një vlerësim i veçantë iu dha stafit teknik dhe punonjësve të angazhuar në terren, për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë operacionit.