U zunë për një kafe/ Detaje të reja mbi ngjarjen në Durrës, një prej viktimave u konfliktua me kamerierin e një lokali…(DINAMIKA)

Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi ngjarjen e rëndë që tronditi Durrësin në orët e para të mëngjesit, ku dy të rinj, Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, mbetën të vrarë me armë zjarri pranë një karburanti në Manëz.

Sipas burimeve hetimore, gjithçka nisi për një arsye krejt të parëndësishme – një kafe. Një prej viktimave, së bashku me një person tjetër, kishin shkuar në ambientet e një lokali në zonë dhe i kishin kërkuar kamerierit të përgatiste kafe. Ky i fundit u kishte shpjeguar se ekspresi ishte i fikur, por një nga viktimat reagoi me tone të ashpra, duke filluar debatin.

Në këtë moment, një tjetër person që ndodhej në lokal ndërhyri në konflikt për të qetësuar situatën, por ndërhyrja e tij e ndezi më shumë debatit. Më pas, përplasja ka dalë jashtë lokalit dhe është zhvendosur pranë karburantit aty afër, ku situata degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit.

Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë konfliktit, Aranit Kurti u qëllua për vdekje nga Flori Paluçi, ndërsa ky i fundit u ekzekutua më pas nga D.P., 21 vjeç, banues në Manëz, i cili aktualisht është në kërkim nga policia.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke marrë në pyetje dëshmitarët dhe personat që ndodheshin në lokal në momentin e konfliktit.

Burimet nga hetimi bëjnë me dije se personi që ndërhyri fillimisht në debat me kamerierin nuk është as viktimë dhe as i plagosur, por ka dhënë dëshmi të rëndësishme për dinamikën e ngjarjes.

Ndërkohë, policia po kryen kontrolle të gjera në zonën e Manzës dhe në rrethinat e Durrësit për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.