U vra me thikë nga Sokrat Vata, ky është 20-vjeçari portugez i cili humbi jetën në Ksamil

TIRANA- Personi i cili po shihni në foto është 20-vjeçari portugez, Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra me thikë nga Sokrat Vata. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:15 të 18 gushtit në lokalin “Principote” në Ksamil dhe më pas vijoi në plazhin e “Paradise”.

Ai u godit disa herë më thikë nga Vata, pas një konflikti i cili dyshohet se nisi për një vajzë. Edhe kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konflikti duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se Vata ta godiste me thikë.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ka nisur rreth orës orës 05:15 të 18 gushtit në lokalin “Principote” në Ksamil dhe më pas vijoi në plazhin e “Paradise”. Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, 29 vjeç, dyshohet se gjatë konfliktit e ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin portugez, ndërsa David Heurtevent 29 vjeç, i shpallur në kërkim, dyshohet se e goditi me grushte. Të dy akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim.

Para goditjes me thikë, në konflikt u përfshinë edhe katër kamarierët e “Principote” Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, dhe Murat Zhabina, të cilët sipas policisë goditën me grushte 20-vjeçarin dhe më pas u larguan. Në lokal ndodheshin edhe punonjës policie. Miosid Matushaj, Luciano Seferi, punonjës i IEVP Fier, Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër dhe Kristi Koshi, të cilët kishin rolin e bodyguard-ëve.

Sipas hetimeve, ata nuk ndërhynë për të parandaluar konfliktin dhe nuk njoftuan policinë pas ngjarjes. Për këtë arsye, akuzohen për moskallëzim të krimit, ndërsa Miosid Matushaj edhe për mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme. Gjatë ngjarjes, ndodhej edhe pronari i lokalit ‘Principote’, Bekim Bulica, i cili pas krimit u largua. Ai është shpallur në kërkim për moskallëzim të krimit.