Ka ndërruar jetë Denis Çumani, 45 vjeç, banues në Shijak, i cili u plagos rëndë me armë zjarri mbrëmjen e së martës, më 27 janar, në derën e banesës së tij. Ai ishte shtruar prej disa ditësh në spital në gjendje kritike, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Sipas hetimeve paraprake, në mbrëmjen e ngjarjes në banesën e Çumanit kanë shkuar dy kushërinj, Dorian Ferra dhe Indrit Ferra. Fillimisht ata dyshohet se e kanë dhunuar fizikisht 45-vjeçarin dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e plagosur rëndë. Plumbi i ka përshkuar trupin tejpërtej, duke i shkaktuar dëmtime fatale.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se konflikti ka pasur si shkak motive xhelozie. Sipas të njëjtave burime, Çumani i kishte dërguar mesazhe një vajze, e cila ishte në një lidhje sentimentale me Dorian Ferrën. Disa ditë para ngjarjes, vajza ishte takuar me Ferrën në një lokal dhe gjatë qëndrimit aty kishte marrë sërish mesazhe nga Çumani, të cilat janë vënë re nga Ferra.
Pas shoqërimit të vajzës në banesë, Dorian Ferra dyshohet se ka marrë kushëririn e tij, Indritin, dhe së bashku janë drejtuar drejt shtëpisë së Çumanit, ku ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Policia ka shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.













