U mbyt në lumë/ 12-vjeçari shqiptar do të prehet në atdhe, babai i të miturit do të marrë leje qëndrimi për arsye humanitare

GREQI- 12-vjeçari shqiptar, Kleoni i cili humb jetën pasi u mbyt në lumin Arahtho të Artës do të varroset në Shqipëri. Kleoni u mbyt në ujë se bashku më shokun e tij Spiros i cili hyri në ujë për ta shpëtuar. Dy të miturit u nxorën nga uji nga emigranti shqiptar, Levian Goga por pavarësisht ndihmës mjekësore u shpallën klinikisht të vdekur dhe prindërit e tyre vendosën të dhuronin organet.

Kleoni 12-vjeçar do të prehet në Shqipëri, ndërsa autoritetet greke i kanë dhënë leje babait të të miturit të marrë pjesë në varrim. I ati ishte i shqetësuar se nëse do merrte pjesë në funeralin e të birit pasi nuk do të ishte në gjendje të kthehej në Greqi për shkak të letrave.

Ministri i Imigracionit, Makis Voridis njoftoi se shteti grek do t’i japë një leje qëndrimi për arsye humanitare, që do t’i lejojë babait të shkojë dhe të kthehet, me qëllim që të marrë pjesë në ceremoninë mortore në Shqipëri.

Mësohet se veshka dhe pankreasi i djalit 12-vjeçar do të transplantohen në Patra në vend të Selanikut, pas një vendimi të marrë nga mjekët. Marrësi do të jetë një burrë 40-vjeçar nga Peloponezi perëndimor.

Procesi i marrjes dhe transplantimit të organeve të dy djemve filloi të hënën. Transplantet e para të organeve të 14-vjeçarit janë kryer tashmë, me marrësit që kanë pranuar “dhuratat” nga dy fëmijët që u bënë heronj pasi humbën jetën.